Ti je perandor

 
Nuk do më besosh nëse të them se ti bën një jetë shumë herë më luksose sesa perandori i Persisë, Cezari i Romës, Faraoni i Egjiptit, etj., por kjo është e vërteta.

Faraoni i Egjiptit, për transport, nuk kishte më shumë sesa një karro që e tërhiqnin kuajt. Kurse ti sot ke makinën tënde private, mund të udhëtosh me tren dhe të fluturosh me aeroplan.

Perandori pers e ndriçonte pallatin e tij madhështor me qirinj dhe kandila me vaj, kurse ti e ndriçon shtëpinë tënde me energji elektrike.

Cezari i Romës pinte ujë në bucela dhe gjatë udhëtimeve e mbarte ujin në kacek. Sakaq, ti pi ujë të freskët nga rubineti dhe të ftohtë nga frigoriferi.

Perandori Guillaume kishte një teatër me kukulla druri për dëfrim, kurse ti sot ke kinema e televizorë që të ofrojnë gjithçka që kërkon.

Luigji i XIV kishte një kuzhinier që i gatuante ushqimet më të shijshme franceze, kurse ti sot mjafton të zbresësh në katin e parë dhe të shfaqen para syve kuzhinat franceze, italiane, kineze, gjermane, japoneze… me ushqime që as në mendje nuk të shkojnë.

Freskueset me pupla struci me të cilat u bëhej fresk mbretërve dhe perandorëve në pikun e vapës, sot nuk kanë asnjë vlerë pasi ti sot freskohesh me kondicionerë, të cilët ta kanë shndërruar shtëpinë në parajsë, falë një shtypje të butonit magjik.

Ti je perandor!
 


 
 
Të gjithë perandorët e lartpërmendur janë minj e insekte krahasuar me ty.

Por, me sa duket, jemi perandorë kokëboshë, prandaj dhe jemi kaq të përvuajtur pavarësisht luksit në të cilin jetojmë.

Ai që ka një makinë dhe nuk e shijon, me sa duket i hap sytë nga miku i tij që ka dy.
Kush ka dy makina dhe ankohet se nuk ka, i mban sytë nga fqinji i tij që ka avion privat.
Kush ka avion privat, plas nga inati që nuk ka akoma një aerodrom si filani.
Kush ka një grua të bukur, e injoron dhe zgurdullon sytë nga gruaja e fqinjit.
Në fund, vjedhim dhe vrasim njëri-tjetrin.

Hedhim bomba atomike mbi gjithë këtë luks. I vëmë flakën napalmit në shtëpitë tona.

Studentët dëmtojnë universitetet, e punëtorët prishin fabrikat. Mandej ankohemi për mungesën e drejtësisë.
Është urrejtja dhe jo drejtësia, motivi i vërtetë që qëndron pas luftërave.

Sado që jetojnë në jetë luksi të paimagjinueshëm, njerëzit do të vrasin njëri-tjetrin, sepse asnjëri nuk sheh dhe vlerëson ato që ka në dorë, por zgurdullon sytë tek ato që ka tjetri.

Nëse rroga jote është dyfishuar, do të hapësh sytë nga rroga e atij tjetrit që është trefishuar, do të revoltohesh dhe do të protestosh, do e harxhosh gjithë rrogën tënde për të blerë pistoletë.

Jemi bërë vërtet perandorë, por vazhdojmë të mendojmë me instinktin e kafshëve.

Jemi zhvilluar si qytete, por jemi të prapambetur si qytetërim.
Bëmë preokupi në cilësinë e jetës, por çaluam në dashuri.

Ti je perandor…

Kjo është e vërtetë, por je perandori më i përvuajtur.
Ti vret veten dhe lë një letër qesharake në të cilën shkruan:

U vetëvrava për shkak të varfërisë. Nuk munda të jetoj si perandor në botën e mbushur me super perandorë!!!


Artikull i punuar nga revista islame-kulturore Drita Islame  © VeD
 

Comments

Popular Posts