U dashurova me këtë fe

Që në vegjëli, jam rritur me frymën fetare!
Familja, edhe pse jo praktikant të rregullt, gjithmonë e përmendnin Zotin dhe fuqinë e Tij në çdo ditë!
E megjithatë

, e dija brenda vetes se feja e Zotit nuk ishte vetëm aq sa familjarët e mi dinin edhe praktikonin.
Duhej të kishte me patjetër më shumë, diçka që të mbushte zemrën e shpirtin me dashuri, diçka që ishte ndryshe nga çdo lloj gjëje tjetër, feja e Zotit duhej të ishte unike.


E megjithatë, vitet kalonin nën hijen e fesë, por mesaduket akoma nuk isha gati për t'u futur tërësisht në të.
I frikësohesha Zotit, edhe pse nuk e njihja mirë. I frikësohesha sepse e dija që nuk kisha asgjë në dorë. 

Besoja tek rrisku, se fati im ishte i shkruar, e i frikësohesha Zotit sepse mendoja se nëse nuk i frikësohesh, atehere nuk do kesh fat të mirë. Një sens e kishte, e megjithatë, duhëj të kishte diçka më shumë se aq, vetëm frika e pashpjegueshme nuk mjaftonte...

Edhe pse besoja në mënyrë të vogël, shpirtin e kisha bosh, zemra nuk ndihej mirë, e ditët ishin bardhë e zi. Pa fe, nuk kishte kuptim asgjë! 

Vitet kalonin e gjimnazi erdhi më shpejt nga se e kisha menduar.
Në bankë fare rastësisht, isha me një djalë i cili ishte besimtar musliman.
E pyesja shpesh për fe, edhe më jepte përgjigje me atë dituri që kishte.
Feja tashmë po fillonte të më pëlqente çdo ditë e më shumë, por përsëri akoma nuk isha gati t'a përqafoja tërësisht, diçka mungonte....

Po afrohej muaji i Ramazanit. Deri atë vit nuk kisha agjëruar kurrë tërë muajin, por thjeshtë disa ditë të muajit Ramazan (të kaluar) .
Por atë muaj premtova (sërish një premtim modest) se do të agjëroja tërë muajin pavarësisht çdo gjëje.
Filloi Ramazani e ditët e para shikoja orën kur do vinte iftari . Nuk e dija për çfarë po agjëroja, nuk e dija për kë po agjëroja, nuk e dija çfarë përfitimesh kishte, thjeshtë agjëroja sepse dija që ishte mirë. Kaq!? Mirë për çfarë, e pyesja veten shpesh.

I gjithë muaji i Ramazanit më kaloi në agjërim, e gjatë gjithë muajit ndihesha shumë mirë.
Menjëherë pas Ramazanit, vendosa t'i telefonoja shokut të bankës e t'i thoja që kisha vendosur të shkoja në xhami!
U gëzua, ashtu siç do gëzohesha edhe unë po të isha në vend të tij.

Shkova në xhami, e nuk dija asgjë. 
Ishte namazi i drekës.
Më tha vetëm që me bisht të syrit të shikoja lëvizjet e të tjerëve e gjithçka do ishte në rregull. 
Ia konfirmova se e kisha kuptuar duke pohuar me kokë.
Mora abdes me shpjegimet e tij, u futëm në xhami, e ikameti sapo ishte thirrur.
U vendosëm në rresht e filloi namazi .
Nuk po kuptoja shumë, por zemra më gufonte, ishte diçka mbresëlënëse.
S'kam për ta harruar kurrë momentin që kam shkuar në sexhde.
Papritur, çdo problem, çdo vështirësi, çdo zili, çdo hatërmbetje, çdo pakënaqësi, u kthyen në zgjidhje, lehtësi, dashuri, e prosperitet.
Ishte e mrekullueshme, një ndjenjë lehtësimi nga çdo ndjenjë negative. 
"E dua Zotin" ishte ajo çka më vinte ndërmend menjëherë pas daljes nga xhamia. 
Ezan pas ezani, fillova ta kuptoja më mirë. 
Emocione të papërshkrueshme gjatë ezanit, i cili më bënte të ndihesha i privilegjuar që isha musliman. 

Fillova të degjoja Kur'an, pa e kuptuar por duke e ndjerë. Sytë më mbusheshin me lot e i thoja vetes përse nuk e kam përqafuar më parë këtë fe.
Por plani i Zotit, ishte më i mirë.
Ishte momenti i duhur per mua. 
 

Moment edhe vit i paharrueshëm për mua.
U bëra musliman me vetëdije e llogjikën e duhur.
Fillova të njoh Zotin Fuqiplotë, sa Bujar, i Mëshirshëm, i Dashur e Fisnik është Ai .
E sa më në thellësi të fesë futesha, aq më e bukur e mbresëlënëse ishte!
Fillova ta ndjeja veten njëri, dhe jo thjeshtë si një qënie e cila nuk di përse ndodhet këtu.
Fillova të kuptoja që Zoti, Krijuesi i gjithësisë, kërkonte pak për të na dhënë shumë. 
Është një ndjesi e mrekullueshme të jem pjesë e kësaj feje gjigande, me këto parime gjigande e të jem prej 
muslimanëve.

Kjo ishte ajo çka kisha nevojë, të isha musliman e çdo problem do të kishte zgjidhje . 
Të isha musliman, e pas çdo vështirësie, të kishte lehtësim.
Të isha musliman, e pas çdo gabimi që më rëndonte zemrën, t'i kthehesha Atij që më pajisi me të. Ky është premtim i Zotit, të kërkosh Atë, që Ai të të ''mjekojë'' , e s'ka dyshim qe Zoti e mban premtimin e dhënë.
E njoha atë si Zot Një dhe Një i Vetëm, pa shokë e pa rival.

Kaq ishte mëse e mjaftueshme, që unë nga ai çast kur vura ballin në sexhde për herë të parë, të kisha një jetë të pasur.

U dashurova me këtë fe, pasi kuptova se sa shumë më donte Zoti!

H.C.

© VeD

Comments

Popular Posts