Zgafellje

Koha dhe hapësira janë dy elementet ku zhvillohen të gjitha ngjarjet. Nuk ka ngjarje jetësore mbi siperfaqen e lëmshit të dheut që t'i tejkalojë. Çdokush është i vendosur në një hapësirë të caktuar gjeografike ; nuk e ka zgjedhur vetë të lindë aty , por mund ta ndryshojë...

Sadoherë ta ndryshosh hapësiren gjeografike, po në të njëjtën kohë do të gjallosh , do të marrësh frymë e do të shfaqesh cili je në të vërtetë. Në mos besofsh se koha të nxjerr në limanin që kërkon , mos u sforco!
Lëre veten të lirë dhe do të shohësh sa shpejt do të dalësh atje ku me sforco mundohesh të mos jesh.


Ndryshimi i mjedisit gjeografik nuk të ndryshon palcën. Ti vjen nga një vend i caktuar. Ke shkuar në një vend tjetër për një mundësi më të mirë. Ke besuar se kjo mundësi është mundësi për të ditur. Por shpejt ke zbuluar se me këtë gjë në mendje e zemër nuk do të jesh ai qe do të deshiroje të ishe. Është periudha kur dija çmohet vetëm nga raftet e bibliotekave dhe pluhuri i atyshëm. 
Nuk t'u dukën komode raftet e bibliotekave. Pluhuri dhe aroma e vjetruar e librave nuk i përgjigjeshin arsyeve të ndryshimit të vendndodhjes gjeografike. Besove se duke ndryshuar vendndodhjen do të ndryshoje jetën tënde ; se do të ndryshoje për të ndryshuar të tjerët ; se horizonte të reja do të zinin vend në qënien tënde , por harrove diçka : Mjedisi i jashtëm nuk ta ndryshon gjenin.

As ndryshimi i emrit nuk ta ndryshon thelbin. Ndryshove mjedis , edhe emër. Ndonjëherë për t'u dukur më tradicional.
Ndonjëherë duke deformuar tradicionalin , për t'u dukur më bashkëkohor. Në secilin rast iu shmange emrit që prindërit të kishin vendosur , por nuk munde t'i ikesh dot origjinalit.
Kërkove të dukesh autokton , por humbe autentiken . Ke frikë nga ajo çfarë je. Kërkon të dukesh çfarë nuk je , por a nuk e ke lexuar poetin që thotë :- Ajo çfarë je duke kerkuar është duke të të kërkuar ty.

As ndryshimi i zakoneve nuk ta ndryshon palcen. U largove nga vendi ashtu si shumë të tjerë. Shumë syresh ikën e më nuk u kthyen. Zgjedhje e tyre. Ti zgjodhe të ikesh e të kthehesh. Ty t'u duk vetja idealist i shekullit XXI . Mendove se adetet e reja që ke fituar do t'i bënin përshtypje atyre që ashtu si ti kishin ndryshuar mjedis. Disa syresh edhe u impresionuan nga pompoziteti me të cilin u ktheve. Mendove se edhe këta që kishin mbetur ketu , duhet të ndryshojnë zakonet dhe adetet e tyre. Bëre çmos t'i qëndroje besnik zakoneve të reja që kishe fituar. Doje të dukeshe një zotëri fin , por harrove diçka : "Salmonët e Paqësorit kthehen gjithmonë në të njëjtin vend".

As ndryshimi i statusit social nuk ta ndryshon palcën . Dole nga regjimi i errët komunist , ashtu siç dolën një shumicë e konsiderueshme . Fillove të bëje lëvizjet në fushën e re të shahut. Nuk ishte më ajo fushë ku mezi dalloheshin kutitë nga njera-tjetra. Tashme fusha kishte ngjyra më të ndezura , që shquheshin më qartë. Nuk e shihje dot veten me ngjyrën gri të errët të mjerimit , si shumica. Doje të kishe nje ngjyrë tejet të veçantë , personifikim i arritjeve të tua. Për këtë nuk t'u dridh aspak qerpiku kur nga një idealist , në një natë të vetme , perfundove si arrivist i dengozuar. Bëre çmos ta ndryshoje statusin tënd social. Duhej kapur ritmi. Nuk mund të ishe i pranishëm në sferat e larta sociale pa shkelqimin e tujeve. Doje të ishe pasha me tuje të rreme , ashtu sikurse ishin edhe pinjollët e njëngjyrëshit .
Shkëlqe si të duash , por mos harro se nga dheu e uji vijnë të gjithë.

As ndryshimi i veshjes nuk ta ndryshon palcën.
Dikur visheshe me arna , ashtu si shumica. I gëzoheshe topit të leckës , këpucëve me gomë peshku , që i blije njëherë në hënë. Pak syresh , që kishin katandisur një shumicë tek topi i leckës , visheshin më mirë. Binin ne sy. Imponoheshin me veshjen e tyre në mes të mjerimit . Nuk të shqitej nga mendja kjo ndjesi edhe kur , më në fund njerëzit mund të ndryshonin veshjen pa qenë nevoja për t'i arnuar. Ndryshove veshjen. Mjedisi i ri ta kerkonte këtë. Kështu iu justifikove vetes, kur për herë të parë përbuze veshjen e vjetër , atë që prindërit ta kishin blerë plot dashuri e sakrificë. Tani vishesh me firmato . Nuk e duron dot më të thjeshtën , atë që të bën të dukesh si shumica . Kerkon të komentohet kostumi yt , kravata jote , këpucët e tua. Por mos harro atë që na thotë poeti :- Nuk jam këta floke , nuk jam kjo lëkurë , jam shpirti që jeton me to. Mos e torturo shpirtin tënd me akullsinë e firmatove industriale!
As zotërimi sasior i materies nuk ta ndryshon palcën . Kishe një shtëpi të thjeshtë. Atë që mezi e ngritën prindërit e tu . Makinën edhe në ëndërr po ta shihje do të ishe tromaksur. Ushqimet me bollëk as në ëndërr nuk mund t'i shihje. I gëzoheshe kakarisjes së pulës , për të ngrënë një vezë , ose i gëzoheshe mungesës së ndokujt në radhën e qumeshtit , të bukës e të vajgurit , sepse do të të vinte radha më shpejt për të shtënë diçka në trastë. Të kaluarën e hodhe pas krahëve. Të shohim nga e ardhmja the. Tani nuk ke më një shtëpi të ngritur me mund e sakrificë personale. Makinat e thjeshta i shpërfill. Mund të nginjësh në çdo vend ku makina luksoze të çon. Nginju , shëtit , pasurohu . Justifikohu se keshtu na e do puna e nuk ke ç'të bësh. A ke harruar t'i bësh pyetje vetes nëse djersa jote ka kulluar gjak të pastër , për të pasur keto që ke?



Marre nga Revista Drita Islame me autor Nuredin Nazarko

© VeD

Comments

Popular Posts