Mësime të humbura

Njerëzit ndryshojnë nga njeri-tjetri . Dituria bën ndryshimin . Injoranca bën ndryshimin.  Ideologjitë që zgjedhim t'i rrisim në mendjen tonë
e t'i zbatojmë përbëjnë ndryshimin. Disa njerëz janë të lumtur me atë që kanë zgjedhur, e disa jo. Disa janë konfuzë, e disa janë të bindur plotësisht.
Ne si jemi?
Kur them "ne", flas për muslimanët e sinqertë që janë sot prezent.
A ka bërë ndryshim islami në jetën tonë?
Dituria që kemi përfituar në jetën tonë, a na ka ndihmuar ta kuptojmë islamin siç duhet?
A jemi të lumtur me atë që kemi zgjedhur?
A jemi ne plotësisht të bindur për atë që i Madhi Zot na ka dhuruar?


Unë, me një perceptim timin do të bëj një analizë të vogel për pyetjet që shtrova.
Profeti yne (s.a.w.s) erdhi si meshirë për mbarë njerëzimin. U dërgua nga
Mëshiruesi i mëshiruesve për të përmirësuar jetët tona.
Erdhi për të ndarë me një vijë të padukshme por themelore të vërtetën nga gënjeshtra, për të ndarë origjinalen nga fallso, për të ndarë të mirën nga e keqja, për të bashkuar njerëzit që të jetojnë në harmoni, e jo të përçahen e të humbin gjithsecilin.
Këto mësime, erdhën, jo vetëm për një pakicë njerëzish të zgjedhur, jo vetëm për ata që jetuan me profetin (s.a.w.s), por erdhën për mbarë njerëzimin deri në ditën e gjykimit.
Vitet ikin, edhe vetë nuk po e kuptojmë sa jemi zhytur në llumin e dynjasë. 
Vitet po kalojnë e jetimi më pak po duhet e po ndihmohet.
Vitet po kalojnë e drejtësia më pak po zbatohet.
Vitet po kalojnë e muslimanët po shtohen por shumë po shpërbëhen.
Vitet po kalojnë e njerëzit po ecin me dyfytyrësinë e shprehjes 'bëj si them unë e mos bëj si bëj unë'.
Vitet po kalojnë e zemra e shpirti më shumë vuan.
Harruam mësimet e të dërguarit të Allahut. Harruam bashkimin, mëshirën e mirësinë. Harruam të duam njeri-tjetrin sepse vendosëm të duam interesin përpara. Harruam të tregonim drejtësi, sepse i padrejti na mbushi me lajka. Harruam së qënuri musliman, sepse dynjaja na mashtroi.
Pra ne, ndryshe nga të tjerët, kemi një dhuratë speciale nga Krijuesi i Gjithësisë, nga Mëshiruesi, Mëshirëbërësi, i Gjithëpushtetshmi, Formësuesi, Ai që na mbuloi më të mira.
E si mund të mos sjelli ndryshim Islami në jetën tënde?
E si mund të mos kesh formim tjetër kur ke një dhuratë kaq të madhe?
E si të mos jemi të lumtur me faktin që kemi njohur Atë që na krijoi?
E duke parë gjithë këto mrekulli që na rrethojnë, si mos të jemi të bindur në Allahun Fuqiplote?!
E duke i ditur gjithë këto, si munde t'i bësh keq jetimit ?
Si munde t'i gënjesh njerëzit?
Si munde t'i bësh padrejtësi njeriu?
Ne po flasim që Zoti është i Gjithmëshirshëm, Mëshirëplotë, atëherë si munde ti të mos tregosh mëshirë ndaj krijesave të Krijuesit?!
Ne harruam kush jemi !
Ne harruam përse jetojmë!
Ne harruam të parët tanë!
Ne harruam vetveten!
Ne harruam ku do shkojmë!
Donim të përshtateshim me sistemin e "civilizuar", por ishte dallgë gënjeshtër, e ne humbëm mësimet e arta islame!


© VeD

Comments

Popular Posts