Familja ime, nderi im

Siç më ndodh në shumë nga temat që trajtoj, përpiqem të zgjedh nje fillim sa më të mirë e të përshtatshëm.
Duke marrë shkas edhe nga
shumë shembuj që kam parë e dëgjuar në ditët e sotme, vendosa të shkruaj diçka, shumë të rëndësishme për të pasur një jetë të mirë në këtë dynja!

Familja ime....sa vlen sot?
Nëse do të bënim një anketim se cila është gjëja më e rëndësishme për ju, mbi 92% do thonin familja ose ndonjë pjesëtar i familjes.
Do thonin që e duan shumë familjen e që e respektojnë pa mase.
A e themi me bindje të plotë e me një pastërti të thellë, apo në çastin e parë të dobësisë, nuk duam të ia dijmë më se ç'bëhet me këtë familje?
Familja si çdo gjë tjetër në këtë dynja, do ketë ulje-ngritjet e saj. Do ketë momente gëzimi, trishtimi, moskuptimi, ankthi, e çaste ku mendon të heqësh dorë totalisht.
Familja është një dhuratë nga Krijuesi i Gjithësisë, e ne duhet të bëjmë çmos për ta ruajtur atë!

E nisa në këtë mënyrë, pasi shumë familje po shpërbëhen sot për shkak kryesor të tradhëtisë.
Kjo vepër e ndyrë ku personalisht shikoj burra të martuar e me fëmijë që kalojnë një kohë të caktuar me femra të moshës së fëmijëve të tyre.
Për të ardhur keq, por për fat të keq, është një fenomen që ndodh shumë shpesh, sepse ne i kemi "mbytur" njerëzit e mirë e të drejtë me injorim e mos-respekt, e ia kaluam lajkat këtyre lloj kriminelësh,  që po shkatërrojnë çdo lloj kornize morale.
Për të ardhur keq që ato nëna të nderuara (po flas për të nderuarat e vërteta) që qëndrojnë në shtëpi e kujdesen për fëmijët me aq perkushtim e dashuri, të shpërfytyrohen nga mashkulli që dashurojnë në këtë mënyrë!

Pse ndodh kjo?
Kjo ndodh sepse siç e thashë,  nuk ka më moral . Nuk ka më një shtyllë ku te mbështetet në çast dobësie.
Por jeta nuk eshte nje çast dobësie.
Jeta nuk është një lojë ku mund të heqësh dorë sepse nuk kalove një nivel.
Jeta është më shumë se kaq.
Jeta është ajo që ti po mbjell sot, për të korrur nesër.
Mos harro! Do japësh përgjigje tek Zoti yt për çdo gjë që ke vepruar!
Mos harro se ajo që bën, në këtë botë apo në tjetrën do të të kthehet .
Mos harro që Krijuesi i Gjithësisë të begatoi me një familje, e ti nuk e vlerësove sa duhet!

E ka marrë rryma e pasionit edhe e epshit një individ, e tani nuk e din më ç'po bën.
Deshe të bëheshe perëndimor i civilizuar, por harrove që çmimi që duhet të paguash për këtë, është vetja jote!
Tani, po fluturon në një qiell poshtë toke, sepse është një fluturim gënjeshtër, ashtu si formimi i tij.
Tani, po gëzon për trishtimin e tij më të thellë.
Tani, nën këtë qiell, shikon gruan e fëmijët që dikur ka dashur , të shkatërruar.

A ia vlen të shkatërrosh një jetë, për një çast?
A ia vlen të groposësh nën atë qiell, gjithë dashurinë e mundin që ke kaluar gjatë gjithë jetës?
A ia vlen?
Beji një analizë vetes, e do të shikosh që perkushtimi ndaj familjes e gruas është një ndjenjë e një stadi të lartë morali.

Si kurohet ky fenomen?
Ky fenomen nuk kurohet, as duke i mësuar fëmijës tënd që në moshën 15 vjeçare për të pasur "shok/shoqe" .
As duke e injoruar e duke mos u interesuar kurrë se ç'bën.
E as duke mos i qëndruar afër atij në momentet që ai ka nevojë për ty.
Ky fenomen kurohet që në vegjëli me moralin e edukatën e duhur. Me mësime të arta e keshilla për jetën. Me afrimitet , mirësi, e dashuri.
Me ushqimin e ndjenjës së dashurisë e jo te urrejtjes.

Situatën e shikoj të rëndë, e prandaj vendosa të shkruaj diçka. 
Kjo vlen edhe për femrat e pamoralshme ku shkatërrimi i familjes është akoma më i madh, por fola për meshkujt pasi tek ata rastet janë shumëherë më të mëdha.

Ky fenomen, duhet kuruar, duhet të kthehemi tek morali e tek i Madhi Allah, e mos t'i bëjmë atentat shoqërisë duke thënë 's'bën feja, s'bën morali se jemi në vitet 2020' . Po e shikojmë ç'po ndodh pa fe e pa moral.
Po e ndjejmë se njerëzit nga civilizimi i tepërt po i përngjasojnë kafshëve.
Kjo nuk është shaka. Kjo është një thirrje për të kuruar vetet tona, sepse ndryshe dallga e madhe do na mari përpara e nuk do dijmë më si të dalim prej saj!


© VeD

Comments

Popular Posts