Porti i fundit

Të ecësh në tokë mund të duket e vështirë, por të udhëtosh në ujëra të turbullta duhet kurajo e madhe.

E nisa këtë shkrim në një mënyrë ndryshe, sepse
i ndryshëm do të jetë edhe ky shkrim!
Shpesh e gjejmë veten në një situatë ku duket sikur toka është limiti për ne. Në një situatë ku mendojmë se zgjidhja e një problemi do të vijë nëse qëndrojmë në të njëjtën tokë ku problemi u hap. 

Por a e ke menduar ndonjëherë të marrësh një anije, e të kalosh në krahun tjetër?




Nuk po flas për të prerë një biletë me disa qindarka, e të të dërgojë nga një tokë në një tokë tjetër.
Po flas për një biletë e cila blihet vetëm me shpirtin tënd, e destinacioni të jetë porti i fundit...


Porti i fundit ku toka nuk është më e njejta 
Porti i fundit ku dashuria e mirësia nuk shterojnë kurrë
Porti i fundit ku mrekullohesh nga ajo që ndjen
Porti i fundit ku nuk ka më limite.

Në këtë tokë, shumë mirë e di, ke probleme, ke shqetësime, të duket sikur jeta të është ngushtuar, të duket sikur fryma po të merret e ti nuk mund të bësh asgjë.

Vëlla a motër e nderuar, ti mund të bësh diçka për të nxjerrë veten nga ky kafaz i padukshëm në të cilin mendon se je.
Çliroje shpirtin, hape zemrën e ngjitu në anijen e madhe!

Shumë njerëz e bëjnë këtë hap, i thonë vetes mjaft vuajta e do bëj diçka për veten time. Ata shkojnë në port, por marrin thjeshtë një varkë, e nga problemet e tokës, tani kalojnë në problemet e nje deti të trazuar e plot rreziqe.
Shumë njerëz mendojnë se një varkë e vogel sa per veten time do ishte opsioni më i mirë, por harrojnë se të jesh vetëm do të thotë që edhe të dashurit e tu të jenë vetëm.


Une të ftoj në anijen gjigande të Sunduesit të Gjithësisë. Anije në të cilën ti mund të futesh nga cila derë që dëshiron.
Në këtë anije, do të gjesh individë nga më të ndryshmit, por ti qëndro i fortë.
Në këtë anije, je nën vezhgim të pandërprerë. Ai shikon, Ai degjon, Ai di, siç i takon Madhështisë së Tij !
Në këtë anije, kur dallgët e detit të jenë të forta e stuhitë të papërmbajtshme, do ketë njerëz që do bien, e varka të rastësishme që do ti marrin .
Në këtë anije, do të ketë njerëz që do të të ofendojnë e do të të ulin, por ti mos u mërzit, këtë ktheje me të mirë, e në portin ku do të mbërrijmë secili do të marri atë që në këtë anije ka vepruar .
Në këtë anije mund të shprehësh mendimin tënd, mund të gabosh në disa detyra, mund të duket sikur dëshiron t'i japësh fund gjithçkaje, por njerëzit qe do të të rrethojnë, të gjithë sëbashku do të të mbajnë fort, e nuk do të të lëshojnë.

Në portin ku do të mbërrijmë, as unë nuk e di si është, por na është premtuar diçka utopike, na është premtuar një vend ku të mirat nuk kanë më fund.
Në portin ku do të mbërrijmë do të jemi të lumtur përgjithmonë .
Në portin ku do të mbërrijmë, nuk ka më mërzitje e trishtime!


Mos zgjidh një varkë e cila do të të shpjerë atje ku dallga shkon .
Mos zgjidh as notin 
Mos zgjidh as porte të vogla gjatë rrugës.

Zgjidh anijen e cila do të të japi një lumturi edhe ne çastet e tua më të trishtuara
Zgjidh anijen ku pas çdo vështirësie e dallgësh të fuqishme, do të vijë lehtësimi e një det i shtruar! 
Zgjidh anijen e cila, kur të duket sikur i gjithë ekuipazhi të jetë kundër, ti të thuash "Më mjafton i Madhi Allah"
Zgjidh anijen e bashkëpunimit
Zgjidh anijen e drejtësisë 

Zgjidh anijen e mirësisë
Zgjidh anijen e të Madhit Allah, e cila shkon në portin e Xhennetit !

© VeD

Comments

Popular Posts