Ramazan në kohë pandemie

Ja ku jemi , sërish një ditë para muajit të shenjtë të Ramazanit. 
Nuk e di ,nëse do ishim në kushte të tjera për të marrë iniciativën për të shkruar diçka , por ky muaj do jetë ndryshe nga vitet e kaluara. 
Do jetë ndryshe për shkak 
të një pandemie që kërcënon fshehur , e që prej shfaqjes së saj , nuk na ka lënë të qetë në përditshmërinë tonë . 
Do jetë ndryshe sepse mbyllja në shtëpi , do të ndikojë tek imani jonë.
Do jetë ndryshe sepse mungesa e lirisë , sjell vështirësi të qëndruarit brenda kafazëve të padukshëm.
Por ajo që "vret" më tepër është mos prezenca në shtëpitë e Zotit. Ajo që "vret" më tepër është mungesa e xhematit të bashkuar e i drejtuar që bëhen gati për të falenderuar Allahun.
Shumë gjëra do të donim të ishin ndryshe ,por pavarësisht të gjithave , një virus nuk mund t'a ulë dot dritën hyjnore. 






Sot , në pazare , pavarësisht të gjithave ,njerëzit po kryenin përgatitjet e fundit para këtij muaji duke blerë ushqimet e nevojshme.
E kjo atmosferë , nuk është kurrsesi njëlloj , por është një shenjë e madhe se dashuria për hir të Allahut , është gjithmonë prezente në zemrat e njerëzve , e pavarësisht të gjithave , respekti ndaj këtij muaji , nuk zhduket kurrë.


Vendosa t'i shkruaj dy gjëra në prag të Ramazanit sepse kur vjen puna për të ndihmuar sadopak, një mendim më tepër , nuk është kurrë i dëmshëm.
Nuk mund të jetë e nuk do të jetë ky muaj kurrsesi si gjithë të tjerët apo si këto kohët e fundit që kemi kaluar të mbyllur në shtëpi , sepse atje jashtë , ka një kërcënim.
Nuk duhet e nuk mund të jetë ky muaj , thjeshtë një muaj më shumë në kalendarin e varur në mur.
Nuk duhet e nuk mund të jetë ky muaj disa ditë qëndrimi pa ngrënë e pa pirë.
Nuk duhet e nuk mund të jetë ky muaj qëndrim e humbje kohe në shtëpi .
E di shumë mirë që do na mungojnë iftaret së bashku me njerëzit që duam më shumë .
E di që mungesa e këtyre iftareve nuk do të sjellë atë bashkimin e të gjithëve ne , të uritur por të lumtur sepse arritëm të përmbushnim dëshirën e Allahut.

E di që mungesa e teravive çdo darkë , pas iftarit , i ke pritur me padurim gjatë gjithë vitit.
E di që leximi i Kur'an_it gjatë ditës me miq të bashkuar në xhami , do të të lërë një boshllëk të madh brenda teje. 


I di të gjitha këto vëlla , por më lër të të them se pavarësisht këtyre , ti duhet e do të shijosh kënaqësinë e muajit të Ramazanit , qoftë edhe në ajrin që ti mer. 
Nuk do të jenë njëlloj iftaret e shtruar , por mund të shtrosh brenda familjes diçka të këndshme e mund t'i bësh ata të lumtur me biseda e histori fetare.
Nuk do të mund të shkosh në xhami pas iftarit , por mund edhe duhet të falesh në shtëpi deri sa këmbët të të mos mbajnë më , e të ndjesh nevojën për të pushuar.
E di që leximi i Kur'anit të motivon më tepër të bashkuar , teksa korrigjoni njëri-tjetrin apo këshilloni njëri tjetrin , por ti mund edhe duhet të lexosh Kur'an në shtëpi , teksa i mëson familjarëve të tu , diçka që ata nuk e dinin.
Ky Ramazan , ndoshta nuk do të jetë një muaj njësoj së të tjerët , por ky ndryshim , duhet t'a bëjë atë më të bukur , teksa familja jote , do të jetë arsyeja për rritjen e imanit tënd.
Ky muaj , pothuajse për të gjithë botën nuk do jetë njëlloj si vitet e kaluara , por kjo nuk duhet të na ndalojë drejt synimit tonë , i cili është kënaqësia e Allahut. 


Ju uroj përzemërsisht një muaj sa më të begatshëm për ju e familjet tuaja . Mos e humbisni mundësinë për t'u afruar Allahut me punë të mira , edhe brenda shtëpisë
                                                   Qëndro në shtëpi , ruaj veten e të tjerët. 

© VeD 

Comments

Popular Posts