Pasqyra nuk pasqyron shpirtin

 Ehm, u bë disa kohë pa shkruar në këtë ditar të hapur. 
Ndoshta deri diku e kam humbur edhe sensin e të shkruarit, ose ndoshta jo. Ndoshta edhe një person që nuk di të shkruaj, në rast se thellohet pak vetëm në vetveten e tij, do mund të shkruaj një ese të mrekullueshme. 
Por, këtu doja të ndalesha.
A po mendon më njeri sot? 
E kam fjalën, e di shumë mirë që për punën, për familjen, për të ardhurat, për karrierën, për pushime, për të kënaqur nefsin të gjithë mendojnë. Nga mëngjesi në darke, mendja futet në rrethin vicioz të gjërave të lartpërmendur. 
Por, edhe nëse arrin të bëhesh milioner, me karrierë të pasur, me familje të madhe, me të ardhura që nuk shterojnë kurrë...të gjitha këto, shumëzoji me shifrën që ti do, a do të të vlejnë pasi toka të të ketë tretur?
Njeriu ka hipur në vagonin e dynjasë, pa e ditur se ku po shkon lokomotiva. Ky tren, që nuk ka ndërmend t'i japë njeriut hapësirën të mendojë. 
Shpejt nga njëra punë në tjetrën, nga njëri problem në tjetrin, nga njëra situatë në tjetrën, e veç kur kthejmë kokën pas, kuptojmë se 10, 15, 20, 25 apo shumë e më shumë nga jeta jonë ka kaluar, pa e parë siç duhet pasqyrën.
Kur zgjohesh në mëngjes. Krihesh, rregullohesh, vishesh bukur. Hedh sytë nga pasqyra për të bërë kontrollin e fundit, e pastaj nisesh për të dalë nga shtëpia.
Nuk pate kohë për të parë përtej kësaj. Nuk pate kohë të shikosh me përqëndrim në atë pasqyrë. 
Në atë pasqyrë e cila do të bëjë të shikosh punën, karrierën e pasurinë, si mjet e jo si qëllim.
Pasqyra e mendimit, pasqyra e të padukshmes.
Për të parë në këtë pasqyrë, nuk është një proçes i lehtë pasi kërkon kurajo e guxim. Por, nuk është aspak e vështirë gjithashtu. 
Për të parë këtë pasqyrë, duhet t'i mbyllësh sytë, e të lësh natyrshmërinë tënde të pastër të të udhëheqi, drejt asaj që është e afërta më e panjohur e jotja. Drejt shpirtit.




Në çastin kur do të zbulosh të vërtetën, e cila është kaq pranë nesh, por ne kaq larg saj, atëherë do të ndihesh i lirë të jetosh çdo minutë të së tashmes, duke qenë i përulur e duke kuptuar më së miri se një ditë, gjithçka që ndodh në këtë tokë, do t'i mbesi kësaj toke.
Një ditë apo një natë, kur ndërgjegja do të të thërras, të jesh i përgatitur se e njohe shpirtin tënd.
Gjithmonë i them vetes se, unë nuk jam këta flokë, këta sy, kjo fytyrë, këto këmbë e duar, kjo gjatësi apo peshë. Unë nuk jam këto, por unë jam shpirti që jeton bashkë me to.

Një ditë, këtë trup që Allahu na e dhuroi, do duhet t'ia kthejmë tokës, e ky nuk është shqetësimi im. Shqetësimi im, ajo gjë që më tmerron, është se si do i dalë para Allahut, me shpirtin të ngarkuar me një mijë kusure?! 

Shiko përtej asaj që sheh, e thërrite veten tënde të vi. Të vi, që në atë errësirë ku është futur të mos qëndroj më. Vetja jote ka nevojë për dritën Hyjnore. Vetja jote, e cila fshihet pas lëkurës tënde, ka nevojë të shndërrisi më fort e që nuri i tij, të shtrihet kudo ku mundet.
Shpirti yt, është në kërkim të shpirtrave të tjerë, e një bashkësi e tillë, do të kthehet në shpresë për mijëra njerëz që shprësën e kanë humbur.

© VeD  

Comments

Popular Posts