Kush jemi ne?

Ne jemi gjenerata që nuk dëshiron të krijojë marrëdhënie me të tjerët. Ne duam një filxhan me çaj për
ta publikuar në rrjete sociale gjatë mëngjeseve të fundjavës. 

Ne duam një palë këpucë të dyta që të shoqërojnë këmbët tona në fotot artistike që bëjmë. Kërkojmë të bëjmë atë postimin e veçantë në rrjetet sociale që ta bëjë më të dallueshëm dhe te bjerë në sy nga të tjerët.

Por ne jemi gjenerata që e jeton jetën duke menduar se marrëdhëniet njerëzore dhe gjithçka mund të përkufizohet vetëm me aq sa thuhet nëpër rrjetet sociale.



Ne shpenzojmë më shumë kohë në profilet tona në rrjetet sociale, se sa në personalitetin tonë.
Flasim shumë pak me njeri-tjetrin,  pasi jemi të zënë duke folur për njeri-tjetrin. E ndërtojmë jetën në formë shtirjeje duke iu drejtuar njeri-tjetrit me fjalë të ëmbla e lëvdata të kota duke menduar se ashtu do të fitojmë lidhje të fortë me të tjerët.

Ajo që fitojmë në të vërtetë, është vetmia. Vetmia e shpirtit...E ndërsa e sheh veten të rrethuar nga njerëzit që vazhdimisht i dhurojnë njeri-tjetrit buzëqeshje të shtirura dhe gjithmonë e fshehin fytyrën e tyre të vërtetë pas një maske të zbukuruar, kuptojmë se si është në të vërtetë bota në të cilën po jetojmë...

Nga njëra anë na pëlqejnë premtimet e bukura pa veprat që dëshmojnë përmbushjen e tyre. Por ne duam që personi pranë nesh të jetë po aq perfekt sa një aplikacion perfekt që shkarkojmë në celularët tanë. Nëse nuk i përmbush parimet e perfeksionit, ne mund ta fshijmë atë aplikacion, sepse nuk na nevojitet më. Shoqëria jonë çdo ditë e më shumë po kthehet në një botë të interesit. Për sa kohë ka interes, gjithçka shkon për bukuri e që në çastin e parë që preket interesi zgjedhja më e mirë është distancimi.

Gjërat që ne i duam me gjithë shpirt, gjërat që vërtet kanë vlerë, gjërat që do të na përmbushnin, të gjitha kërkojnë durim, punë dhe  energji. Ne të gjithë duam të gjejmë dikë që na bën të lumtur, ndërkohë që ajo që duhet të bëjmë, është të jemi dikush qe arrin te vizatojë buzëqeshje në fytyrën e tij dhe njerëzve përreth tij..

E teksa ulemi e diskutojmë me njeri-tjetrin se si duhet të sillemi, duhet të dijmë se as vetë ne nuk e kuptojmë lojën në të cilën jemi përfshirë të gjithë falë ndryshimeve të mëdha që ndodhin dita ditës, sot.

Kjo shoqëri në të cilën jetojmë në të vërtetë nuk është gjë tjetër veçse një pasqyrë e egër mashtruese me buzëqeshje të shtirë…

© Për VeD shkruar kompozuar nga Artiona

Comments

Popular Posts